Opinionistja e njohur, Neda Balluku, ka thyer heshtjen dhe ka folur hapur për jetën e saj personale në emisionin “Goca & Gra”, ku konfirmoi se është zyrtarisht në proces divorci me bashkëshortin e saj, Ogren Balluku.
E emocionuar, Neda tregoi se marrëdhënia e çiftit prej vitesh po kalonte kriza të vazhdueshme, ndërsa një situatë e ngjashme, sipas saj, kishte ndodhur edhe në vitin 2020. “Lajmet janë të vërteta. E vërteta është që nuk është hera e parë që jam në këtë situatë, një gjë e ngjashme ka ndodhur edhe në 2020. Atëherë ia dolëm ta kapërcenim. Dëshira ka qenë për ta mbajtur, por nëse do të ktheja kohën prapa do të bëja të njëjtën gjë”, u shpreh ajo.
E pyetur nëse vendimi për divorc ishte marrë duke menduar për veten apo për fëmijët, Neda u shpreh prerë se gjithmonë interesin e fëmijëve e vendos të parin. “Mendoj se çdo fëmijë ka të drejtë të rritet në ambient të shëndetshëm, në marrëdhënie të shëndetshme mes prindërve dhe të jetë i qetë e i lumtur. Para fëmijëve mendoj se asnjë nënë nuk e vë veten e vet”, tha ajo.
Në këtë rrëfim të sinqertë, opinionistja theksoi se marrëdhënia e saj me Ogrenin prej kohësh nuk ishte më e shëndetshme, ndonëse përpjekjet për ta shpëtuar martesën kishin vazhduar gjatë.


