Themelues i Partisë Demokratike dhe një nga figurat qendrore të dhjetorit ’90, Neritan Ceka rikthehet sot tek nisja e pluralizmit shqiptar, tek ato ditë të brishta, kur sheshet zinin frymë lirie dhe një vend i lodhur nga heshtja po çante më në fund murin e diktaturës. Ishin ditë të mbushura me emocion, ankth, shpresë e idealizëm, ditë kur elita e formuar në diktaturë shkruante kapitullin e parë të lirisë.
Në rrëfimin e tij, Ceka nuk ndalet vetëm te ndjesitë e atyre momenteve të paharrueshme, por ndalet edhe te ngjarjet që shënuan historinë, herë me vrull, herë me plagë që, siç thotë ai, ende sot nuk janë mbyllur plotësisht. Ai flet për elitën e asaj kohe, një elitë që sipas tij nuk iu rikthye më kurrë Partisë Demokratike, intelektualë, studentë dhe njerëz të papërsëritshëm në idealizmin e tyre. Një elitë që u shpërnda me kohën, jo vetëm për faj të njërit apo tjetrit, por edhe për shkak të gabimeve që sipas Cekës secili bëri gjatë rrugës.





