Nesër zgjidhet kreu i ri i SPAK, Gonzato dhe ambasada britanike: KLP do sigurojë që të jetë person me integritet!

Nesër, 11 dhjetor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të zgjedhë kreun e ri të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), që do të zëvendësojë Altin Dumanin. Ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato do të jetë nesër i pranishëm në mbledhjen e KLP-së, ndërsa gjatë sot zhvilloi një takim me anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, prezenca e BE-së ka ndarë detaje nga mbedhja e sotme. Gonzato shprehu besimin se anëtarët e KLP-së do të tregojnë nivelin më të lartë të përgjegjshmërisë dhe do të sigurojnë që Prokuroria e Posaçme të drejtohet nga një person me integritet të padiskutueshëm, i pavarur, profesionist dhe i përkushtuar ndaj standardeve më të mira të BE-së.

“Ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato, mori fjalën në takimin e sotëm të përbashkët mes Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ku u diskutuan mënyrat për të rritur efikasitetin, cilësinë dhe integritetin në sistemin e drejtësisë. Ai theksoi dy çështje që mbeten kryesore për gjyqësorin: vlerësimet realisht transparente dhe përcaktimi i qartë i përgjegjësive dhe standardeve për sigurinë në gjykata

Në prag të zgjedhjes së nesërme të kreut të ri të SPAK, ku Ambasadori Gonzato do të jetë i pranishëm së bashku me ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së, ai shprehu besimin se anëtarët e KLP-së do të tregojnë nivelin më të lartë të përgjegjshmërisë dhe do të sigurojnë që Prokuroria e Posaçme të drejtohet nga një person me integritet të padiskutueshëm, i pavarur, profesionist dhe i përkushtuar ndaj standardeve më të mira të BE-së”, shkruhet në postimin e BE-së.

Ambasada e Britanisë së Madhe në Tiranë kërkon gjithashtu që procesi i zgjedhjes së kreut të ri të SPAK të jetë i drejtë e transparent. Ambasada britanike thekson se ky është një hap i rëndësishëm në përparimin e Shqipërisë për forcimin e shtetit të së drejtës dhe luftën kundër korrupsionit.

“Zgjedhja e Drejtuesit të SPAK është një hap i rëndësishëm në përparimin e Shqipërisë për forcimin e shtetit të së drejtës dhe luftën kundër korrupsionit. Është e rëndësishme që Këshilli i Lartë i Prokurorisë ta realizojë këtë proces në mënyrë të lirë, të drejtë dhe transparente. Mbretëria e Bashkuar pret me padurim të bashkëpunojë me këdo që do të zgjidhet, për të vazhduar dhe forcuar marrëdhënien tonë të shkëlqyer”, shkruan ambasada britanike.

Lajme të tjera |  “Nuk shiten malet, është mundësi për pronarët dhe emigrantët”, Rama: Paketa e Maleve, nuk anulohet!

Prokurorët Adnand Xholi, Klodian Braho, Doloreza Musabelliu dhe Elvin Gokaj, do të prezantojnë platformën e tyre dhe pasi të dëgjohen dhe të pyeten, do të votohen. KLP miratoi 4 kandidatën në mbledhjen e 20 tetorit, duke vlerësuar se i plotësojnë kushtet për të drejtuar SPAK. Emrat e tyre u kualifikuan për të vijuar më tej garën, që është ajo e intervistimit, e vendosur tashmë më datë 11 dhjetor. Po në këtë ditë pritet që Këshilli i Lartë i Prokurorisë të zgjedhë me votim kreun e ri të SPAK, i cili do të marrë zyrtarisht detyrën më 19 dhjetor.

Mandati 3-vjeçar i Altin Dumanit në krye të SPAK përfundon në 18 dhjetor 2025, pasi këtë detyrë e mori më 16 dhjetor 2022. Pas lënies së këtij posti ai do të ushtrojë detyrën si prokuror i posaçëm i kësaj strukture deri në përfundimit të mandatit 9 vjeçar. Caktimi i kreut të ri të SPAK, ka vënë në lëvizje dy nga ambasadat kryesore në vend: SHBA dhe BE.

Lajme të tjera |  Paketa e Maleve, Rama nga Thethi: S'ka anulim. Do të sqarojmë të gjitha të pavërtetat

Sipas nenit 20 të rregullores së KLP-së, kandidati që merr më shumë vota zgjidhet kreu i SPAK-ut. Në rast se dy a më shumë kandidatë marrin numër të barabartë votash, KLP kryen një votim të dytë mes kandidatëve me numër të barabartë votash.

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us