Opozita serbe zbret në shesh një ditë pas zgjedhjeve. Shkak për këtë është kërkesa e tyre për të ripërsëritur zgjedhjet në Beograd. Këtë të hënë koalicioni “Serbia kundër dhunës”, ka thirrur një protestë në Beograd. Ndërkohë drejtuesit e koalicionit opozitar, Miroslav Aleksiç dhe Marinka Tepiç kanë nisur një grevë urie para ndërtesës së Komisionit Zgjedhor. Sipas tyre, kjo do të vazhdojë derisa zgjedhjet të anullohen.
Miroslav Aleksiç: Kërkojmë nga Komisioni Zgjedhor që të anulojnë zgjedhjet në Beograd, për shkak të mashtrimit dhe parregullsisë së rezultateve, për shkak të cenimit të vullnetit zgjedhor të qytetarëve të Beogradit. Do t’i dërgojmë të gjitha provat dhe materialet që kemi mbledhur gjatë ditës së djeshme, të cilat tregojnë qartë se rezultati i arritur nga partia Progresive serbe në Beograd është arritur falë njerëzve që janë sjellë për të votuar në Beograd, edhe pse nuk jetojnë atje. Kemi një situatë ku ka ardhur për të votuar ministri i Bosnjë-Hercegovinës, që është e paprecedentë dhe nuk bëhet fjalë për ndonjë rregullsi. Prandaj, këto zgjedhje duhet të anulohen.
Kjo kërkesë e opozitës vjen pasi ata kanë dyshime se ka pasur parregullsi të shumta gjatë procesit të votimit.