Pa reflektimin e maxhorancës, demokratët nuk do të ulen në tryezën e Reformës Territoriale. Nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, i cili është edhe bashkëkryetar në Komisionin e Posaçëm për Reformën Territoriale në një intervistë për A2CNN pohon se vijimi i punës në këtë komision duhet bërë pasi të largohet Edi Rama si kryeministër dhe vendi të udhëhiqet nga një qeveri teknike.
Sipas Boçit klima politike nuk është e duhura për të bërë reforma, duke akuzuar maxhorancën se i ka bllokuar të gjitha hapësirat opozitës.
Por nëse plotësohen kushtet për t’u ulur në tryezë, demokratët duket se kanë gati propozimet e tyre.
“Ne kërkojmë shtimin e numrit, sepse jemi përballë një numri të madh që ekzistonte por që çonte shërbim te qytetari i fundit dhe tashmë jemi në një zvogëlim por ka zbrazur Shqipërinë…”, u shpreh Boçi për A2 CNN.
Reformën e vitit 2015 e quan të dështuar, ku sipas tij harta është ndarje elektorale dhe jo administrative.
Për nënkryetarin e PD, bashkitë do duhet të kenë më shumë kompetenca, pasi kjo është kërkesa edhe nga Bashkimi Evropian.
“Ndarja duhet të jetë logjike. Me synim që të ruhet autonomia vendore dhe të ruhen kompetencat. Kjo është kritika më e madhe nga BE”, tha Boçi për A2 CNN.
Bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Territoriale kërkon që të respektohen te gjitha rekomandimet që vijnë nga unioni europian. (A2 Televizion)





