Shpenzimet faktike deri në nëntor të këtij viti për Programin e Rindërtimit kapën vlerën 80 miliardë lekë, apo rreth 730 milionë euro. Teksa po mbyllet viti i katërt i zbatimit, askush nuk di të thotë me saktësi se kur do të përfundojë. Tirana dhe Durrësi vijojnë të jenë kantiere të hapura në disa drejtime. Zvarritja e procesit të përfundimit të banesave ka bërë që ende mijëra familje të mbeten peng i shtëpive me qira. Bonusi i paguar për to nga buxheti i shtetit nga fillimi i programit e deri në fund të këtij viti llogaritet në rreth 80 milionë euro. Përtej dramës sociale, ajo që ngre më shumë pikëpyetje është mungesa e një bilanci se çfarë ka ndodhur me qindra miliona eurot e shpenzuara. Negocimi në tavolinë i rindërtimit, mungesa e transparencës nga bashkitë dhe qeveria për ecurinë, si dhe copëzimi në disa institucione i programit, e ka bërë të vështirë të kuptohet çfarë është përfunduar, çfarë është në proces e çfarë mbetet ende për t’u bërë.
Prej fillimit të vitit 2020 e deri në nëntor 2023, shpenzimet faktike për rindërtimin, programin më të madh që ka zbatuar ndonjëherë një qeveri në vendin tonë, ishin rreth 80 miliardë lekë ( 730 milionë euro), sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave.
Ky program nisi në funksion të rikuperimit të pasojave që shkaktoi tërmeti shkatërrues i 26 nëntorit 2019 dhe ende vijon me kantiere të hapura. Kur kanë kaluar katër vite dhe po hyjmë në të pestin, është bërë gjithmonë e më e vështirë të kuptohet se pse ende mijëra familje janë rrugëve pa marrë banesën e premtuar.
Në fillim, projekti nisi me hapa të shpejtë dhe peshën më të madhe e përqendroi në vitet 2021 dhe 2022, kur nisën të shpërndaheshin banesat e para të reja.
Këtë vit, edhe vetë përfaqësuesve të qeverisë apo njësive vendore të prekura duket sikur u ka rënë ritmi i deklaratave për një program që përfundimi i shtyhet vazhdimisht.
Rindërtimi pati kontraste edhe në zbatim, ku projektet që u menaxhuan nga donatorët përfunduan ndërsa projektet me mbështetjen e buxhetit vijojnë.
Në këtë kontekst, krahasimi është i thjeshtë. Turqia, që u angazhua me një projekt të madh në Laç, përfundoi në kohë rekord ndërtimin e mbi 500 apartamenteve që u kaluan më pas qytetarëve.
Më shpejt përfundoi edhe Thumana, ku u ndërtuan 278 apartamente dhe 155 njësi individuale. Pak më shumë se 500 njësi individuale banimi janë përfunduar që vitin e kaluar edhe në rrethinat e Tiranës në zona si Vaqarri, Zall Herri, Ndroqi.
Dy lagjet e reja që po ngrihen në kryeqytet lidhur me rindërtimin, siç është “5 Maji” dhe “KombinArt” janë ende në proces dhe mijëra familje mbeten në shtëpi me qira në pritje të përfundimit.
Në Durrës, deri më tani, kanë marrë një banesë të re 331 familje, por më të shumtë janë ata që ende nuk e kanë marrë një të tillë dhe që pritet të transferohen në Spitallë, ku punimet vijojnë.
Kur pjesa e luanit e programit të Rindërtimit tashmë është konsumuar me më shumë se 3/4 e kostos së parashikuar të shpenzuar, pikëpyetjet që ngrihen janë të shumta, të lidhura me transparencën e projektit, përdorimin eficient të parave publike, pasojat negative financiare e sociale nga zvarritja e zbatimit, problematikat në zhvillimin e procedurave të prokurimit dhe monitorimin e zbatimit.
Rindërtimi, deri në fund të 2023, shpenzimet totale arrijnë 92 miliardë
Buxheti i ndryshuar i vitit 2023 rialokoi fonde në një sërë zërash, ku ndër të tjera edhe rindërtimi. Në këtë zë, qeveria parashikoi që fondet të shtoheshin me 12 miliardë lekë.
Kjo shifër mbetet për t’u shpenzuar deri në fund të vitit, teksa aktualisht deri në nëntor, shpenzimet faktike sipas Ministrisë së Financave ishin 80 miliardë lekë.
“Në kuadër të realizimit të programeve të procesit të Rindërtimit, në ligjin e buxhetit të viteve 2020-2023 u sanksionua krijimi dhe administrimi i Fondit të Rindërtimit, i cili parashikonte fondet për financimin e nevojave lidhur me rindërtimin.
Shpenzimet faktike që nga momenti i krijimit të këtij fondi deri në nëntor të vitit 2023 janë: 28.5 miliardë lekë për njësitë e qeverisjes qendrore, 52 miliardë lekë për njësitë e vetëqeverisjes vendore, në total 80 miliardë lekë.
Me Aktin Normativ nr.5, datë 18.10.2023 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.84/2022, ‘Për buxhetin e vitit 2023’, fondi i rindërtimit për vitin 2023, u shtua me 12 miliardë lekë për financimin e plotë të të gjithë punimeve të kryera dhe avancimin e tyre” konfirmuan Financat për “Monitor”.
Kjo do të thotë se në total, në mbyllje të 2023, fondet e shpenzuara për rindërtimin do të arrijnë 92 miliardë lekë, apo rreth 840 milionë euro.
Për vitin 2024, qeveria ka parashikuar në Buxhetin tashmë të miratuar nga Parlamenti, një fond prej 7 miliardë lekësh, apo rreth 65 milionë euro, por askush nuk mund të thotë nëse programi do të shkojë përtej këtij viti apo do të shënojë mbylljen e tij.
Durrësi dhe Tirana, ende kantiere të hapura, nuk ka afat për përfundimin
Durrësi dhe Tirana janë Bashkitë me më shumë familje në pritje të një apartamenti apo banese të re, pas tërmetit të katër viteve më parë dhe që banesat iu klasifikuan me nivel dëmi DS5 (totalisht të shkatërruara).
Në Bashkinë e Durrësit u kategorizuan si DS5 me miratim nga Këshilli Bashkiak 1098 banesa individuale. Sa u takon pallateve për rindërtim, ishin 12 në Durrës, 7 në njësinë administrative të Sukthit dhe 1 pallat në njësinë administrative Katund i Ri në të njëjtin vend ku ishin më parë.
Për Durrësin u miratuan edhe dy të reja për zhvillim siç janë Manza dhe Spitalla. E para tashmë e përfunduar prej kohësh dhe e planifikuar për strehimin e 226 familjeve ndërkohë e dyta, e projektuar për 996 apartamente në 85 pallate 4-katërshe ka përfunduar në pjesën më të madhe të saj, por apartamentet ende nuk janë dorëzuar.
Një procedurë e tillë nuk pritet të jetë e lehtë, pasi familjet që kanë pasur një apartament në Durrës kanë shprehur rezistencë për t’u zhvendosur në këtë zonë të re. Edhe pse një pjesë kanë pranuar, ka ende nga ata që nuk janë dakord. Një fakt të tillë e pohon edhe vetë Bashkia.
“Në lidhje me banesat individuale kanë shprehur vullnetin e tyre qytetarët për t’u zhvendosur në zonat e reja për zhvillim, ndërsa në lidhje me banorët që kanë jetuar në apartamente është hasur vështirësi në fillim, por me punën dhe angazhimin e njësive është bërë i mundur ndërgjegjësimi i familjeve dhe është marrë mirëkuptimi dhe kanë pranuar të transferohen shumë familje”, – pohon Bashkia për “Monitor”.
Lidhur me ndërtesat që u klasifikuan si DS4, ku duhet të bëhen riforcime për t’i kthyer parametrat e sigurisë, Bashkia e Durrësit nënvizon se ka ende punë para, edhe pse fondet janë miratuar.
“Për sa u përket objekteve me nivel dëmi DS4, janë në total 96 objekte me nivel dëmi DS4 pallate dhe 101 shtëpi individuale, për të cilat janë miratuar fondet për riforcimin e tyre, disa prej tyre kanë përfunduar, disa të tjera janë në proces zbatimi punimesh riforcimi”, – konfirmon Bashkia.
Tirana, nga ana tjetër, ka dy zona të reja zhvillimi me disa mijëra familje që ende janë nëpër banesa me qira, diçka që ka bërë që në buxhetin e bashkisë, fondet e strehimit të kenë peshë më të lartë vitet e fundit.
Në zonën e 5 Majit synohet që të strehohen 11 mijë banorë, ndërkohë që parashikohen 3500 apartamente, kurse në Kombinat, e pagëzuar si “KomninArt”, Bashkia deklaroi se do të shtrihej në disa faza. Në fazën e parë do të ndërtoheshin rreth 3 mijë apartamente.
Premtimet e Bashkisë se banorët do të ishin në një shtëpi të re ndryshojnë afat herë pas here, por fakt është që sot këto lagje të reja janë ende të papërfunduara. Këtë e konfirmoi vetë kryebashkliaku Veliaj, gjatë prezantimit të projektbuxhetit 2024 të Bashkisë që ai drejton.
“Te lagjja ‘5 Maji’ jemi afër fundit me banesat aty, ndërkohë edhe 7 pallatet në Kombinat po mbarojnë, por do ishte mëkat që ta linim pa infrastrukturë.
Ne nuk duam të bëjmë konvikte për njerëzit që i gjeti fatkeqësia e tërmetit. Aty do të transferohen edhe institucione të qeverisë dhe të bashkisë, por mbi të gjitha, do të bëjmë infrastrukturë. Se po i lamë vetëm si banesa, pa infrastrukturë, pa rrugët e mira, pa parqe, pa parking, nuk shkon.
Një pjesë e buxhetit do të shkojë për infrastrukturën mbështetëse të këtyre lagjeve”, u shpreh Veliaj.
Afatet për mbylljen e rindërtimit në të dyja Bashkitë, si Durrësi dhe Tirana, janë të paparashikuara. Këto të fundit, që prej fillimit, ndryshojnë vazhdimisht duke e shtuar kalvarin social të familjeve që presin të kenë një çati mbi kokë pas fatkeqësisë së 2019-s.
Zvarritja rëndon buxhetet e strehimit, mbi 80 mln euro si bonus qiraje
Teksa programi i rindërtimit nisi në vitin 2020, pritshmëria ishte që numri i qytetarëve që u lindi e drejta për një bonus qiraje, të ulej gradualisht vit pas viti me ecurinë e zbatimit të projekteve dhe marrjen në dorëzim të banesave. Por edhe sot, Bashki si Durrësi e Tirana paguajnë bonus qiraje për mijëra familje.
Kontrolli i Lartë i Shtetit, në raportin e tij të buxhetit faktik 2022, raportonte se vetëm Bashkia e Tiranës ka paguar disa dhjetëra miliona euro në disa vite për bonusin e qirasë.
Drama sociale bëhet edhe më e madhe po të kemi parasysh që Bashkitë, jo në të gjitha rastet e kanë paguar këtë detyrim, duke i lënë familjet t’i bëjnë këto pagesa.
“Ecuria në mungesë të ritmeve të duhura të ndërtimit të banesave për të dëmtuarit nga tërmeti i vitit 2019, po sjell në mënyrë të vazhdueshme kosto shtesë për buxhetin, në kuadër të strehimit.
Në fillim të vitit 2022 ishin parashikuar 1 miliard lekë për qiranë e akomodimit të 11 300 familjeve të pastreha nga tërmeti, me supozimin se një pjesë e familjeve do të strehoheshin në objektet e filluara gjatë viteve 2020-2021”, – thuhet në raportin e KLSH.
Ky i fundit nënvizon se numri i familjeve përfituese të subvencionit të qirasë vijoi të jetë ende i lartë, duke sjellë për pasojë rishikimin dhe miratimin e buxhetit shtesë për vlerën 1.69 miliardë lekë dhe në dhjetor 2022, u ul me 350 milionë, për shkak se Bashkia e Tiranës mbuloi me fondet e veta pagesat për dy muaj. Përfundimisht, plani për shpenzim qiraje ishte në vlerën 2.3 miliardë lekë dhe rezulton se fondi i përdorur për vitin 2022 është 2.19 miliardë lekë, ose 95%.
Nga sa më sipër konstatohet se, mungesa e arritjes së kryerjes së shpenzimeve të planifikuara për rindërtimin, krahas problemeve sociale për strehimin dhe infrastrukturën publike, vijon të sjellë kosto shtesë për buxhetin, e cila për vitin 2022 është më së paku 1.3 miliardë lekë” – nënvizon KLSH.
Në një interpelancë të këtij viti, ish-ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, pranoi se vetëm për vitin 2023 ishin parashikuar 500 milionë lekë si zë për bonusin e qirasë, duke bërë që kumulativja në disa vite të paguara nga buxheti i shtetit të shkojë 8.8 miliardë lekë apo rreth 80 milionë euro.
KLSH vlerëson se, në disa raste, bashkitë nuk kanë paguar detyrimet e qirasë, duke ngarkuar financiarisht familjet e prekura.
“Nga auditimi në MFE konstatohet se ka disa bashki të cilat nuk kanë kryer çdo muaj subvencionime për qiratë, si: Bashkia e Tiranës nuk ka kryer pagesa për qiratë në muajt shkurt, qershor, korrik, gusht, nëntor; Bashkia e Mirditës nuk ka kryer pagesa për muajin janar, shkurt, maj, nëntor; Bashkia e Rrogozhinës nuk ka kryer pagesa për muajin janar, shkurt, prill, qershor, korrik etj.
Mosrealizimi i shpenzimeve të programuara për rindërtimin, sjell kosto shtesë për buxhetin edhe në drejtim të zgjatjes së afatit të qirasë për banorët, ndërtesat e të cilëve janë dëmtuar nga tërmeti dhe kanë qenë parashikuar që të përfundojë ndërtimi i tyre, krahas problemeve të tjera sociale të strehimit”, – thuhet në raportin e buxhetit faktik të 2022 të KLSH-së.
Rindërtimi kritikohet për transparencën dhe negocimin në vend të garës
Programi i rindërtimit është kritikuar vazhdimisht për aspekte të ndryshme, por mbi të gjitha për mënyrën sesi u koordinua. Përfshirja e një sërë institucionesh dhe mosruajtja e një standardi raportimi nga të gjithë, e bëri të vështirë nxjerrjen e bilanceve fazë pas faze. Një tjetër element i kritikuar ishte forma sesi u zhvilluan procedurat e prokurimit.
Në vend të një gare të hapur, ku konkurrenca do të rriste pjesëmarrjen, e për rrjedhojë do të kishte edhe ndikim në ofertat financiare, nën argumentin e emergjencës u zgjodh negocimi dhe një ligj i veçantë.
Kjo formë së fundmi u kritikua edhe në raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë që nënvizonte se “shpenzimet e rindërtimit pas tërmetit nuk kishin transparencë, pasi nuk u integruan në procedurat e rregullta të financave publike”.
Preferenca për të negociuar në tavolinë me biznesin është parë si një rrezik për klientelizëm dhe korrupsion. Të paktën kështu gjykon Aranita Brahaj, drejtore ekzekutive e Institutit Shqiptar të Shkencës (AIS) që ka ndjekur nga afër thuajse çdo hallkë të këtij programi.
“Procedurat për kontraktim për veprat pjesë e programit të rindërtimit nuk janë transparente, ato janë bërë me procedurë të limituar (kufizuar, jo e hapur), ofertat janë pranuar dhe vlerësuar jashtë sistemit elektronik në tryezë biznesi dhe shteti.
Kjo për shkak të Ligjit Korruptiv që u zbatua për këtë Program. Për pasojë, rreziku për klientelizëm dhe korrupsion të jetë tepër i lartë”, pohon znj. Brahaj.
Sipas saj, ka një problem të theksuar edhe me ndjekjen e programit në hallkat e tjera dhe e gjithë kjo ka të bëjë me formulën e ndjekur të prokurimit dhe shpalljes së fituesve kur paratë ende mungojnë pasi buxhetet nuk janë të alokuara drejtpërdrejt.
“Pas njoftimit të fituesit, qoftë autoriteti kontraktues bashki, e qoftë biznesi fitues, duhet të presin Ministrinë e Rindërtimit (tashmë e shkrirë) dhe Qeverinë të bëjë alokim fondi nëpërmjet VKM-së.
Kjo formë e konkurrimit pa buxhet dhe pritjes për buxhet pa afat të paracaktuar ka dëmtuar ecurinë e punës në disa bashki e në fund ka shënuar një formë jo shumë transparente dhe me kosto të keqpërdorimit të kontraktimit dhe financimit me para publike.
Mendoj që buxhetimi i deritanishëm për projekte rindërtimi ka nevojë për 10 deri në 15 miliardë lekë të tjera për të mbyllur të gjitha procedurat ku është njoftuar një Biznes Fitues”, – nënvizon znj. Brahaj/ Monitor?