I ftuar në emisionin “Puls” të Bruna Çifligut, ish-drejtuesi i policisë Mit’hat Havari foli për protestën opozitare të së shtunës, e cila shkaktoi përplasje mes protestuesve dhe forcave policore. Në lidhje me këtë konfrontim, zoti Havari u shpreh: “Unë mbështes Policinë e Shtetit. I njoh të dyja forcat politike. Të njëjtat gjëra kanë bërë, por më shumë ka bërë kjo që është sot në opozitë, që e ka shkatërruar policinë”.
Sipas tij, në protestat e fundit nuk ka qenë policia e dhunshme, por opozita. “Këto janë protesta të dhunshme, nuk janë protesta të lehta. Ndodhin protesta në perëndim, por nuk i bëjnë forca politike. I bëjnë sindikatat, kurrë forcat politike. Këto ndodhin vetëm te ne, si një vend i pazhvilluar që jemi me probleme të thella”, tha ai
Havari gjithashtu vlerëson që policia e shtetit është në gjendjen që është edhe për shkak të mënyrës se si është shfrytëzuar ajo. “Është struktura më e keqpërdorur në 35 vjet, më e keqpaguar dhe më e keqmenaxhuar. Është struktura që s’ka pasur asnjëherë garancinë që nuk lëviz nga vendi i punës”.
Në lidhje me shkarkimin e Ilir Prodës, ish-Drejtorit të Përgjithshëm te Policisë së shtetit, Havari beson që shkarkimi i tij vjen si rezultat i një akumulimi dhe jo specifikisht me sulmin ndaj ish-vilës së diktatorit Hoxha. “Akuza ngelet akuzë derisa të provohet. Mund të ketë diçka, por besoj që është pritur rasti”.
Ai gjithashtu komenton kryetarin e opozitës, Sali Berishën duke e konsideruar sulmin ndaj ish-vilës së diktatorit Hoxha, si sulm ndaj shtëpisë së vet shpirtërore.
“Ky që drejton sot opozitën është shumë i djallëzuar. Udhëheqësi sot i opozitës në atë shtëpi ka ngrënë bukë. Ajo është shtëpia shpirtërore e tij dhe me traditë dhe me zakon, ai nuk duhej ta godiste”.





