Këshilli i Ministrave ka miratuar sot disa vendime dhe projektligje për zhvillimin ekonomik, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe forcimin e kuadrit ligjor për partneritetet publike-private.
Një ndër vendimet kryesore të marra ditën e sotme është miratimi i marrëveshjes Shqipëri-Itali në 10 fusha.
Marrëveshje strategjike Shqipëri–Itali
Qeveria miratoi në parim marrëveshjen ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Italisë për bashkëpunim strategjik në disa fusha me rëndësi të madhe kombëtare dhe rajonale.
Fushat e përfshira në këtë marrëveshje janë:
-Kujdesi shëndetësor
-Energjia
-Mjedisi
-Industria e sigurisë dhe mbrojtjes
-Menaxhimi i migracionit
-Arsimi
-Inovacioni
-Diaspora
-Transformimi ekonomik
-Rritja inteligjente
Vendimi synon të formalizojë bashkëpunimin strategjik dhe të thellojë marrëdhëniet dypalëshe midis Shqipërisë dhe Italisë, duke krijuar një kuadër të strukturuar për projekte dhe iniciativa të përbashkëta në fushat e sipërpërmendura.





