Gazeta greke “Kathimerini” i ka kushtuar një artikull çështjes së zgjedhjeve në Himarë. Media helene shkruan se kryeministri shqiptar Edi Rama ka pirë një kafe me ish-deputetin Vangjel Tavo dhe i ka propozuar atij që të bëhet kryebashkiak i Himarës. Tavo nga ana e tij ka thënë se e pranon propozimin, nëse pala greke është dakord. Ai po ashtu i ka sqaruar Ramës se nëse bëhet kryebashkiak i Himarës, nuk do prekë pronat greke. Mësohet se Rama e ka telefonuar edhe në mes të dhjetorit Tavon, teksa e ka ngushëlluar për ndarjen nga jeta të vajzës së tij.
ARTIKULLI I PLOTË:
Në prag të Krishtlindjes, ish-ministri dhe deputeti i Dropullit për shumë vite, Vangjel Tavo, një anëtar i shquar i minoritetit grek dhe mjek privat sot, mori një telefonatë nga kryeministri Edi Rama, i cili i kërkoi të takoheshin për një kafe në Tiranë. Tavo, me origjinë greke, e pranoi ftesën, ndonëse marrëdhëniet e të dyve ishin acaruar, pasi ish-ministri ishte larguar nga Partia Socialiste për të bashkuar forcat me Ilir Metën në themelimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Përpara kësaj telefonate, në mes të dhjetorit ka pasur një tjetër telefonatë të Ramës me Tavon, këtë herë në nivel njerëzor, për një ngjarje të pakëndshme, pikërisht vdekjen e vajzës së deputetit në një aksident automobilistik. Marrëdhëniet e tyre megjithatë mbetën të ‘ngrira’.
Pavarësisht kësaj, Rama dhe Tavo janë takuar në një kafene të njohur në kryeqytetin shqiptar dhe atje kryeministri i Shqipërisë, pasi i ka shprehur dëshirën për t’i dhënë fund ngërçit me Athinën, dyshohet se i ka kërkuar ndihmë në këtë drejtim, duke pasur parasysh se duhet një kryebashkiak i përkohshëm për Himarën. Siç raportojnë kolegët e Tavos, Rama i ka shpjeguar se gjatë kohës që do të jetë kryetar bashkie, do të përfundojë gjyqi dhe nëse Beleri shpallet i pafajshëm, ai do të marrë postin e kryetarit, në të kundërt do të shpallen zgjedhjet e reja në Bashki.
Sipas të njëjtave burime, Tavo i ka sqaruar kryeministrit se nuk duhet të harrojë që vjen nga Dropulli dhe jo nga Himara, për të marrë përgjigjen nga Rama, se kjo nuk është pengesë. Siç i tha Rama, edhe anëtarët e tjerë të pakicës etnike greke nuk janë nga Himara, por qeverisin atje.
Tavo nuk e hodhi poshtë propozimin dhe thuhet se deklaroi se do të ishte i gatshëm të ndihmonte në zbutjen e situatës. Megjithatë, ai ia bëri të qartë se do ta pranonte vetëm në rast se do të ishte i pranueshëm nga pala greke, ndërsa theksoi se nuk do të nënshkruajë asnjë vendim apo dokument, që mund të ketë lidhje me pronat e grekëve të Himarës. Gjithmonë sipas asaj që anëtari me përvojë i minoritetit grek u tha bashkëpunëtorëve të tij të afërt, Rama nuk e hodhi poshtë arsyetimin e tij dhe më pas Tavo njoftoi qeverinë greke, por deri të premten e djeshme thuhet se çështja mbetet e hapur, pasi në Athinë nuk ka asnjë kërkesë zyrtare nga pala shqiptare.
Burime qeveritare në Athinë pohuan në të njëjtën kohë se padyshim që personi që do të zgjidhet kryebashkiak në Himarë nuk mund të jetë nga radhët e Ramës, por duhet të jetë sa më afër qëndrimeve të minorancës etnike, ndërsa nuk përjashtuan që ky person të jetë Tavo. Me sa duket, pala shqiptare po përpiqet t’i gjejë një zgjidhje çështjes Beleri pa Belerin, ndërsa pala e kryebashkiakut të paraburgosur përpiqet të djegë çdo skenar në këtë drejtim.
Në këtë kuadër, interpretohen informacionet për dorëheqjen e kryebashkiakut në detyrë dhe të zgjedhurit të Edi Ramës, Jorgo Goros. Në të njëjtën kohë, nga burgu ka pasur një deklaratë nga Beleri se ushtruesi i detyrës së kryetarit të bashkisë duhet të dalë vetëm nga vota fituese, qëndrim me të cilin Athina është dakord, por pala shqiptare e refuzon. Tashmë të gjithë bien dakord se “çështja Beleri” është në fazën më delikate e kritike dhe nuk përjashtohet një qorrsokak. Ndaj, në prapaskenë, nga të dyja palët, po kërkohen zgjidhje të tjera./Kathimerini-