Partizani po përgatit ndeshjen me Egnatian ku mungesat janë sërish të pranishme. Besar Gudjufi u ndëshkua me karton të verdhë në minutat e fundit ndaj Flamurtarit, për këtë edhe do mungojë në Rrogozhinë. Partizani ka humbur edhe shërbimet e Babukar Jatës, një futbollist i cili luajti si titullar në javët e fundit. 19-vjeçari nga Gambia u dëmtua, për këtë nuk do të japë kontributin e tij në dy ndeshjet e mbetura.
Lajmi më i mirë është rikthimi i Redon Ismailit, i cili është me kujtimet e derbit me Tiranën dhe pritet të jetë sërish element kyç në mesfushë. Ismaili përfundoi pezullimin për shkak të kartonëve. Kështu ndërtimi i mesfushës do të fillojë bashkë me të dhe Rouen Hjumen. Më pas mbetet për t’u vendosur mes Gjergji Kotes, Adnard Mehmetit dhe Mateo Shanajt për pjesën tjetër.
Ky i fundit u besua nga minuta e parë ndaj Flamurtarit, për këtë nuk do të jetë çudi nëse e nis sërish te “demat”. Interesant është se do të rikthehet Andi Janjeva, i cili në ndeshjen e fundit mungoi për shkak viroze. Mes tij dhe Saliu Sembenes ka balotazh aktualisht. Për sulmin shikohen prej kohësh Isgandarli dhe Toma. Të dy bashkë sollën golin që zhbllokoi sfidën ndaj Flamurtarit. Toma asistoi dhe Isgandarli shënoi. Idea qëndron për pjesën më të madhe të lojtarëve, megjithatë ndryshimet janë të pashmangshme.





