Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka apeluar sërish që Kosova dhe Serbia të mos ndërmarrin veprime që mund të çojnë në përshkallëzimin e situatës.
Stoltenberg deklaroi gjatë në konference për media këtë të hënë, se Prishtina dhe Beogradi duhet të përmbahen nga retorika nxitëse që provokojnë konflikt. Ai e vuri theksin te propozimi i ri për draftin e Asociacionit, si një “hap konstruktiv” për çuar përpara dialogun që mund të çojë në normalizimin e marrëdhënieve.
“Ne nxitëm edhe Prishtinën edhe Beogradin për t’u angazhuar në mirëbesim në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Dhe ne gjithashtu besojmë që propozimi për Asociacionin e komunave me shumicë serbe mund të jetë një hap i rëndësishëm përpara për të lëvizur këtë dialog në një drejtim më konstruktiv. Mesazhi im përsëri është për Prishtinën dhe Beogradin është që të dyja palët të përmbahen nga retorika nxitëse dhe sigurisht të mos ndërmarrin ndonjë veprim që mund të rrisë më shumë tensionet në rajon”, tha Stoltenberg.
Stoltenberk theksoi angazhimin e NATO-s në Kosovë, ku tha se po merren hapa të rëndësishëm për rritjen e prezencës së aleancës në rajon.
“Sapo kemi rritur prezencën në Kosovë, duke shtuar ekstra trupa. Ne tani jemi duke vlerësuar nëse duhet të shtojmë më shumë trupa, por ne jemi duke ndërmarrë hapa të rëndësishëm me rritjen e prezencës tonë”.