Kur Sali Berisha ndodhet përballë reporterëve, këtyre të fundit zor se ua tërheq vëmendjen njeri tjetër. Madje, pikërisht për këtë, kur i mohohet fjala në kuvend, lideri demokrat del nga salla drejt gazetarëve që gjenden në obor, për të përvetësuar antenat e transmetimeve live, pavarësisht se cili flet brenda parlamentit.
Por çuditërisht sot, në kuvendin e PD-së ka ndodhur e kundërta. Ndërkohë që Berisha po fliste para shtypit, gazetari Isa Myzyraj e ndërpreu: ‘Zoti Berisha….po del Argita”
Lideri demokrat nuk e kontrolloi dot veten, gjysëm i përkëdhelur si prind dhe gjysëm i surprizuar si prijës. Ai qeshi me siklet, e humbi pak toruan dhe i ra shkurt prononcimit të vet, për të lënë projektorët të drejtoheshin nga e bija.
Argita Berisha pati sot premierën e një paraqitjeje publike në forumin më të rëndësishëm të PD-së. Pak javë më parë në Top Story ajo i ishte përgjigjur një pyetjeje të gazetarit Robert Rakipllari se nuk kishte ndryshuar qëndrim dhe se nuk kishte ndërmend të futej në politikë.
Por, fjalimi që Lapsi.al analizoi këtë të shtunë në kuvendi, përpara delegatëve demokratë, ishte krejtësisht në sens të kundërt. Thelbi i tij qëndronte tek të këqiat e mosangazhimit të qytetarëve të fokusuar në interesa të tjera, ndërkohë që në Shqipëri po instalohet një regjim që s’ka asgjë të përbashkët me demokracinë. Berisha- Malltezi e shpjegoi edhe më pas për gazetarët thelbin e fjalimit të saj: “Nëse ka një të keqe që vjen, ajo është e keqja që vjen butësisht, keqësisht, kur ti mendon se nuk duhet të reagosh se është një gjë e vogël dhe banale. Por, në fakt e keqja bëhet imponuese pikërisht kur ti e ke neglizhuar” .
A ka një tezë më politike sesa kjo dhe një trampolinë më të menduar për tu zhytur në një betejë opozitare?
Ndoshta pikërisht se ndjenë këtë, gazetarët e ndërprenë Sali Berishën, duke kuptuar se lajmi i ditës kishte kaluar tek e bija e tij. Ky i fundit, që e ka përgënjeshtruar vazhdimisht kalimin e stafetës të PD-së tek fëmijët e përsëriti edhe sot këtë tezë. “Argita Malltezi mbajti një fjalim si shumë të tjerë aty. Argita Malltezi është një aktiviste e PD-së, që në ditët më të para të themelimit të saj, ka qenë studente.
Në këtë kontekst, ajo nuk është ndarë kurrë nga PD.
Ky është fjalimi i parë publik i saj në kuvendet e partisë, por kjo nuk do të thotë asgjë më shumë sesa një fjalim, në të cilin shprehu si aktiviste e PD-së, mendimet e veta” tha ai duke e përmendur të bijën me mbiemrin e bashkëshortit.
Por sërisht pyetja shtrohet, pse vajzës iu dha sot një rol që Berisha nuk kishte pranuar ti’a jepte për 30 vite? Çfarë ka ndryshuar dhe cili është qëllimi i kësaj kthese?
Një shpjegim është gjendja e vështirë që po kalon familja e saj, kur mendohet se i shoqi, Jamarbër Malltezi, u burgos dhe po hetohet vetëm se është dhëndër i një ish kryeministri të shpallur non grata nga SHBA. Një rol më publik dhe një identifikim me PD-në mund ti jepte më shumë rol gruas-avokate, në mbrojtjen ndaj tij.
Një version i dytë lidhet me daljen e fundit të Argitës në emisionin e Grida Dumës, për të shpjeguar aferën e privatizimit të klubit Partizani. Burime shumë pranë familjes Berisha thanë për Lapsi.al, se kur kjo është diskutuar në rethin e ngushtë, të gjithë kanë qenë në konsensus, se Argita e mbrojti këtë çështje në më nyrë më të ftohtë, më argumentuese dhe më në detaje sesa i ati. Fakti se ajo e fitoi debatin u duk qartë edhe në reagimin e gazetarit më pro qeveritar të momentit, italo- shqiptarit Carlo Bollino, që i kritikoi kolegët se e lanë Argitën të mbrohej mirë.
Kjo provë përballë publikut të gjërë mund ta ketë bindur Sali Berishën ti hapë rrugën asaj. Logjika mund të ketë qenë kur e bën njëherë dhe për një çështje specifike, nuk ka arsye pse mos ta bëjë gjithmonë.
Në vitin 2005, kur shpalli rinovimin dhe krijoi KOP-in, pëe të ardhur në pushtet, Berisha i dha një rol të fortë në prapaskenë së bijës. Pjesa më e madhe e shokëve të saj iu bashkuan partisë dhe u bënë menjëherë ministra. Mes tyre shkëlqeu Lulzim Basha që filloi të projektohej që atëhere si pasardhës. Por dështimi me njeriun që i kishte falur gjithçka, por që e gotidi pas shpine në çastin më kritik të jetës së tij mund ti jetë bërë mësim doktorit, që me sa duket nuk ka më mjekim për ta shëruar opozitën. “Më mirë se shoket e tyre ja ku kam vetë fëmijët, gjaku s’bëhet ujë” – mund të ketë menduar Berisha që sipas thënies së famshme të Majakovskit e identifikon partinë me veten.
Dhe kështu ai mund të ketë menduar të provojë me Argitën. Filimisht në media dhe pas kësaj prove të parë, direkt në podiumin e PD.
Natyrisht, me gjasë gjithçka është në fazën e eksperimentit, pasi katapultimi i Argita Malltezit drejt majave të PD-së, ndonëse kuron paranojën e Berishës për një pasardhës tjetër besprerë, ka edhe anë negative. Së pari, ai përforcon tezën kryesore të kundërshtarëve që e akuzojnë se po e përdor PD-në për veten dhe për familjen. Dhe së dyti, ai mund të bëhet bengesë për zgjerimin e partisë. Nëse njësoj si në 2013, kuptohet se vendi i pasardhësit është i paracaktuar, kjo gjë mund ta ftohte grupin e deputetëve që u larguan nga Basha, me argumentin se ai nuk e lëshon karrigen.
Prandaj ka të ngjarë, se më shumë sesa një projekt i vendosur, surpriza e kësaj të shtune, ngjitja në skenë e Argita Berishës, të përbëjë më tepër një test.