Endri Çekiçi e ka bërë “sefte” me skuadrën e Zakhos, në kampionatin irakian, në ndeshjen e tij të katërt. Mesfushori pogradecar realizoi në minutën e 66-të, nga pika e bardhë e penalltisë, në duelin ndaj Al Mina, që përfundoi në barazim 1 me 1.
Vlen të theksohet fakti se ky duel ishte i vlefshëm për javën e 16-të të kampionatit në Irak, teksa atmosfera ishte elektrizuese, me tifozët që kishin mbushur plot e për plot shkallët e stadiumit.

Skuadra e mesfushorit të Kombëtares shqiptare, renditet në vendin e tetë me 27 pikë në 16 javë, vetëm 7 më pak se kryesuesit e Al Quva. Çekiçi u bashkua me skuadrën e re në fillim të janarit nga skuadra e Belouizdadit.





