Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka denoncuar sot, 21 korrik, në një konferencë për mediat kryeministrin Edi Rama, duke u bazuar në deklaratat e europarlamentarit Tomas Zdeçovski.
Berisha tha se deputeti i BE-së akuzoi publikisht Ramën për përdorimin e familjarëve të tij për të transportuar para të dyshimta jashtë shtetit.
Sipas kreut të PD-së, europarlamentari konfirmoi se po ndiqen paratë e grabitura nga shqiptarët dhe ato të trafikantëve.
“Sot jam këtu për deklaratën e deputetit të Parlamentit Evropian, Tomas Zdeçovski, i cili denoncoi dje në një nga mediat e Tiranës, Edi Ramën si njeriun që përdor familjarët e tij për të transportuar para jashtë shtetit.
Zdeçovski thekson se ne po ndjekim paratë. Po ndjekim pra këtë veprimtari kriminale të Edi Ramës me paratë e grabitura shqiptarëve ose paratë e trafikantëve shqiptarë.”
Ai e cilësoi këtë si aktakuzën më të rëndë të bërë ndonjëherë ndaj kryeministrit, duke e krahasuar me deklaratat e bëra dikur vetëm për diktatorë si Muammar Gaddafi.
Berisha theksoi se megjithëse kanë kaluar 24 orë nga intervista e dhënë, Rama ka heshtur plotësisht. Në përfundim, ai nëvizoi se asnjë pjesëtar i familjes së kryeministrit nuk ka bërë asnjë reagim për këto akuza.
“Kjo deklaratë në Parlamentin Evropian është bërë vetëm për diktatorë të tipit Gedafi dhe jo ndonjëherë tjetër për ndonjë lider të një vendi të lirë evropian.
Deklarata e europarlamentarit në mediat shqiptare është aktakuza më e rëndë që i bëhet personalisht Edi Ramës dhe familjarëve të tij nga një personalitet i shquar në Parlamentin Evropian. Dhe ndonëse kanë kaluar 24 orë, Edi Rama nuk ka hapur gojën. Ka heshtur si fija e barit.
Nuk ka reaguar asnjë pjesëtar i familjes së Edi Ramës. Rama me familjarët e tij transporton para jashtë shtetit.”





