Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së Gazment Bardhi ka nxjerrë një detaj të ri nga dosja e bujshme e ish-zv.kryeministrit Belinda Balluku, në një kohë kur Kuvendi i Shqipërisë vendosi të mos japë autorizimin për arrestimin e saj të kërkuar nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Dosja e SPAK është dorëzuar në Këshillin për Imunitetin dhe Mandatet ku kërkoi autorizim për arrestimin. Bardhi, si anëtar i këtij këshilli, u shpreh se nuk i lejohet të bëjë publike pjesë nga dosja hetimore, megjithatë mbrëmjen e djeshme në emisionin ‘Opinion’, ai zbuloi një mesazh që, sipas tij, ndodhet në materialet voluminoze të SPAK.
Sipas Bardhit, bëhet fjalë për një komunikim mes Ballukut dhe vartësit të saj të atëhershëm, ish-kreut të Autoriteti Rrugor Shqiptar, Ervis Berberi.
“Mua nuk më lejohet të jap të dhëna nga dosja, por një mesazh po e zbuloj. Çfarë pune kishte ministrja e Infrastrukturës që në orën 19:49:20 të vitit 2019 t’i dërgonte një mesazh vartësit të saj Ervis Berberi ku i shkruante: ‘A e bëre pasqyrën sa shtëpi ke shit?’ Nuk dimë që zonja Balluku të kishte ndonjë agjenci të shitjes së shtëpive”, tha Bardhi në emisionin “Opionin”.
Më tej, Bardhi zbuloi gjithashtu se ndaj ish-zëvendëskryeministres ka nisur edhe një hetim pasurie nga ana e SPAK. Sipas tij, pjesë e dosjes është edhe një çështje që lidhet me një HEC të një biznesmeni, ku përmendet edhe kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja. Bardhi shtoi se në dosje përmendet gjithashtu edhe emri i Taulant Balla.
Kujtomë se një pjesë e rëndësishme e provave për çështjen Balluku lidhet me komunikimet e zbuluara në telefonin e ish-kreut të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ervis Berberi. Ervis Berberi u arrestua në mars të vitit 2024 dhe iu sekuestrua celulari nga SPAK. Nga ekspertiza e telefonit janë zbuluar komunikime dhe SMS kryesisht në aplikacione komunikimi si Signal që çuan deri te përmendja e emrit të ish-ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku





