Gjykata Kushtetuese ka publikuar vendimin lidhur me kërkesën e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, për shfuqizimin e masës së sigurimit “Arrest në burg”, duke argumentuar arsyet që çuan në kthimin e çështjes për rishqyrtim në Gjykatën e Lartë.
Në vendimin e saj, Gjykata Kushtetuese vlerëson se Gjykata e Lartë nuk ka ushtruar një kontroll kushtetues efektiv mbi masën e sigurisë, nuk ka analizuar proporcionalitetin e saj në raport me funksionin publik të ushtruar nga Veliaj dhe nuk ka shqyrtuar në mënyrë konkrete mundësinë e zbatimit të masave alternative ndaj paraburgimit.
Një tjetër element i evidentuar nga Kushtetuesja lidhet me mungesën e arsyetimit për mbajtjen e Veliajt në kabinën e xhamit gjatë seancave gjyqësore.
Gjykata Kushtetuese konstatoi se Gjykata e Lartë nuk u kishte dhënë një përgjigje të arsyetuar dy pretendimeve thelbësore të kërkuesit:
1- Gjykata vlerësoi se nuk ishte analizuar mjaftueshëm nëse masa “Arrest në burg” ishte e domosdoshme në raport me të drejtën për t’u zgjedhur (Neni 45 i Kushtetutës),. Sipas vendimit, Gjykata e Lartë dështoi të ushtronte një kontroll efektiv mbi faktin nëse masat më pak kufizuese (si garancia pasurore) mund të neutralizonin rreziqet pa penguar ushtrimin e funksionit publik të kryetarit të bashkisë.
2- Një tjetër pikë ku vendimi i Gjykatës së Lartë u gjet i cenueshëm ishte mungesa e arsyetimit lidhur me qëndrimin e Veliajt në kabinën e xhamit gjatë seancave,. Kërkuesi pretendoi se ky izolim krijonte një imazh negativ si person i rrezikshëm dhe cenonte parimin e prezumimit të pafajësisë.
Sa i përket ndarjes së trupës gjykuese, ku vendimi evidenton ndarje të theksuar mes gjyqtarëve të Kushtetueses. Katër prej tyre kanë vlerësuar se masa e arrestit ishte joproporcionale, ndërsa nga ana tjetër, gjyqtari relator Vokshi votoi kundër shfuqizimit të vendimit të Gjykatës së Lartë. Ndërsa gjyqtarja Bejtja kritikoi arsyetimin e gjykatave të zakonshme lidhur me ekzistencën e “dyshimit të arsyeshëm”, pasi sipas saj, nuk ishte provuar lidhja individuale e Veliajt me veprat e pretenduara korruptive, por se argumentimi ishte mbështetur kryesisht në pozicionin e tij si titullar i institucionit.
Zbardhja e vendimit zbulon një ndarje të thellë mendimesh mes gjyqtarëve kushtetues:
-Katër gjyqtarë shkuan më tej se shumica, duke argumentuar se masa e arrestit ishte joproporcionale në vetvete,. Sipas tyre, izolimi i ka pamundësuar Veliajt ushtrimin e detyrës për një periudhë të gjatë në raport me mandatin e fituar, duke cenuar edhe të drejtën e zgjedhësve për t’u qeverisur nga i përzgjedhuri i tyre,.
-Gjyqtari relator Vokshi votoi kundër shfuqizimit, duke argumentuar se Veliaj nuk i kishte shteruar mjetet juridike për pretendimin e mandatit përpara se të vinte në Kushtetuese. Lidhur me kabinën e xhamit, ai vlerësoi se ajo nuk përbën në vetvete trajtim degradues nëse kushtet janë optimale,.
-Gjyqtarja Bejtja kritikoi ashpër arsyetimin e gjykatave të zakonshme për “dyshimit të arsyeshëm”, duke vlerësuar se nuk është provuar lidhja individuale e kërkuesit me veprimet korruptive, por arsyetimi është bazuar në fakte të përgjithshme që lidhen me funksionin e tij si titullar,.
Qëndrimi i 4 gjyqtarëve: Genti Ibrahimi, Sandër Beci, Sonila Bejtja, Fiona Papajorgji:
“Për sa më sipër, në vlerësimin tonë, pretendimi i kërkuesit se masa e sigurimit personal ‘Arresti në burg’ është joproporcionale në raport me të drejtën e tij për t`u zgjedhur, është i bazuar, ndaj Gjykata duhej të kishte shfuqizuar vendimin e Gjykatës së Lartë edhe për shkak se nuk ka konstatuar këtë shkelje, duke dështuar në rolin e saj subsidiar të kontrollit të respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të individit”, ka qenë qëndrimi i 4 prej 5 gjyqtarëve, Genti Ibrahimi, Sandër Beci, Sonila Bejtja dhe Fiona Papajorgji.
Gjithashtu, edhe gjyqtari Ilir Toska thotë se Gjykata e Lartë nuk ka argumentuar pjesën arsyetuese për kufizimin e lirisë së Veliajt, në raport me të drejtën për t’u zgjedhur.
“Për sa më sipër, edhe pse pajtohem me zgjidhjen e çështjes nga Gjykata, pra me pranimin e pjesshëm të kërkesës së kërkuesit dhe shfuqizimin e vendimit të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë për shkak të cenimit të standardit të arsyetimit të vendimit gjyqësor në kontrollin e proporcionalitetit të kufizimit të lirisë personale, të lidhur edhe me të drejtën për t’u zgjedhur, si dhe për shkak të mungesës së arsyetimit nga Gjykata e Lartë për pretendimin për cenimin e dinjitetit dhe të parimit të prezumimit të pafajësisë, për shkak të qëndrimit të kërkuesit në kafaz/kabinën e xhamit gjatë seancave gjyqësore, kam mbajtur qëndrimin se shfuqizimi i këtij vendimi duhej të mbështetej edhe në mungesën e përgjigjes së mjaftueshme ndaj pretendimeve të kërkuesit për cenimin e së drejtës së mbrojtjes në gjykimin në apel dhe dyshimit të arsyeshëm të lidhur me prezumimin e pafajësisë. Këto pretendime kanë natyrë kushtetuese dhe ishin ngritur në mënyrë të tillë që kërkonin një përgjigje të posaçme nga Gjykata e Lartë. Për rrjedhojë, në vlerësimin tim, çështja duhej t’i kthehej Gjykatës së Lartë për shqyrtim jo vetëm për shkaqet e pranuara nga Gjykata, por edhe për trajtimin e këtyre pretendimeve të kërkuesit”, ka arsyetuar gjyqtari Toska.
Ndërkohë, Asim Vokshi është i vetmi gjyqtar që ka argumentuar që kërkesa e Veliajt duhet të rrëzohet në tërësi dhe se arresti i tij është i ligjshëm. i.
“Në përfundim, për sa më sipër, jam i qëndrimit se pretendimet e kërkuesit për cenimin e dinjitetit dhe të lirisë personale në aspektin substancial, në drejtim të proporcionalitetit të ndërhyrjes të lidhur me të drejtën për t`u zgjedhur, por edhe në drejtim të arsyetimit të individualizuar të nevojave të sigurimit nga Gjykata e Lartë, janë të pabazuara, ndaj kërkesa duhej të ishte rrëzuar”, ka arsyetuar Vokshi.
Gjykata e Lartë tani duhet ta rishqyrtojë çështjen dhe të japë një arsyetim të plotë për proporcionalitetin e masës së arrestit dhe trajtimin e kërkuesit gjatë seancave gjyqësore. Tashmë, Gjykata e Lartë duhet të vendosë nëse Veliaj do të vazhdojë të qëndrojë në burg apo do t’i ndryshohet masa e sigurisë.
Më 25 maj, Gjykata Kushtetuese vendosi që ankimi i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, për lirimin nga qelia të shqyrtohet sërish nga Gjykata e Lartë. Vendimi u mor me shumicë votash, 5 me 3 në favor të kërkuesit, duke urdhëruar rigjykimin e çështjes në instancën më të lartë gjyqësore.





