Sot shënohen 15 vite nga protesta e 21 Janarit në bulevardin “Dëshmorë e Kombit” në Tiranë, ku mbetën të vrarë katër qytetarë, Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj. Edhe pse vitet kalojnë ende nuk është bërë ‘paqe’ me atë që ka ndodhur, pasi familjet që kanë humbur të dashurit e tyre kërkojnë të vendoset drejtësi.
Çfarë ndodhi më 21 janar?
Një protestë e thirrur nga Partia Socialiste, asokohe në opozitë doli jashtë kontrollit dhe do të përfundonte me vrasjen e Ziver Veizit, Faik Myrtajt, Hekuran Dedës dhe Aleks Nikës para Kryeministrisë, pas të shtënave me armë zjarri nga Garda e Republikës. Partia Demokratike, në qeveri do e cilësonte tubimin si grusht shtetit dhe krim shtetëror. Nga 2011 deri më sot, dosja e 21 janarit është ende në gjykatë. Në lidhje me ngjarjen u morën të pandehur Ndrea Prendi dhe Agim Llupo, ndërsa gjykata vlerësoi me vendim se vrasjet kanë ndodhur nga pakujdesia. Të dy të pandehurit u dënuan, Ndrea Prendi me 1 vit ndërsa gardisti Agim Llupo me 3 vite burg. Familjarët e viktimave prej 13 vitesh kërkojnë drejtësi ndërsa akuzat politike rishfqen para çdo fushate elektorale.
HETIMET
Dosja e 21 janarit ka kaluar në ‘duart’ e SPAK! Ashtu siç u udhëzua edhe nga Gjykata e Lartë, hetimi që do të kryhet nga SPAK duhet që të zbardhë rolin e ish-kryeministrit Sali Berisha; ish-ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha, Ndrea Prendit dhe të tjerëve të përfshirë në vrasjen e 4 protestuesve në bulevard. SPAK njoftoi se më datë 15 korrik 2024 është regjistruar nisja e hetimeve për disa vepra penale: “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, e kryer në bashkëpunim, kundër dy ose më shumë personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, “Shpërdorim i detyrës”, e kryer në bashkëpunim dhe “Kryerja e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, e kryer në bashkëpunim.
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, Lulëzim Basha dhe kreu i Partisë Ilir Meta janë thirrur në SPAK në lidhje me çështjen. Kujtojmë se protesta e 21 janarit 2011 u thirr pas publikimit të një video mes ish-ministrit të ndjerë Dritan Prifti dhe Zv. Kryeministrit Ilir Meta në atë kohë, ku bëhej fjalë për një korrupsion prej 700 mije eurosh. Video-skandali u publikua në emisioni investigative “Fiks Fare” ku Ilir Meta, ndodhej në zyrën e ministrit (të atëhershëm) të Ekonomisë dhe i kërkon favore për një tender hidrocentrali dhe disa afera të tjera korruptive. Në bisedë përmenden përqindje apo shifra për 700 mijë euro që sipas Prifti i ishin ofruar në këmbim të nje licence hidrocentrali. Videoja ishte regjistruar nga vetë Dritan Prifti më 1 mars 2010. Ish-ministri për të bërë përgjimin kishte përdorur një orë tavoline e cila mund të gjendej lehtësisht në internet.
Meta, në cilësinë e personit që ka dijeni për ngjarjen, ka folur për një skenar të parapërgatitur. Mësohet se Meta ka dëshmuar se amerikanët dhe shërbimet inteligjente ishin në dijeni të skenarit të dhunshëm të organizuar nga Edi Rama, për të patur viktima që t’i jepej një kauzë.
PËRGJIMET E PLOTA TË DITËS SË 21 JANARIT:
KOMUNIKIMI I PARË:
Ndrea Prendi: Alfred dëgjon?
Alfred Ahmetcenaj: Po dëgjoj
Ndrea Prendi: Po afrohen shumë, duhet të jeni gati për zjarr
Alfred Ahmetcenaj: Po të kuptova drejt.
KOMUNIKIMI I DYTË:
Komandanti i Gardës Ndrea Prendi: Të mbahen armët në dorë gati për zjarr. Të mbahen armët në dorë gati për zjarr në ajë. Pastaj kur të them unë në trup.
Ndrea Prendi: Artan (Artan Hoxha, zv komandanti i Gardës). Dëgjon? Artan dëgjon?
Artan Hoxha: Dëgjoj, dëgjoj.
KOMUNIKIMI I TRETË:
Ndrea Prendi: Me të kaluar gardhi i telave do hapet zjarr luftarak
Artan Hoxha: Kuptova, kuptova
Ndrea Prendi: Ky është urdhëri, Dashamir dëgjuat
Dy efektiva të njësisë speciale: Alfred (Alfred Ahmetcenaj) ta-ta-ta gjakos (urdhëri për të vrarë)
Komunikimet (urdhërat) janë dhënë vetëm me radio nga komandanti i Gardës për vartësit e tij. Pasi u dha urdhëri për të qëlluar, u zbatua duke realizuar të shtënat një nga një dhe me breshëri, nuk është dhënë me asnjë urdhër tjetër për të qëlluar. Nga komunikimi në radio, menjëherë pas vrasjeve të protestuesëve, ka jnë qetësi absolute tek komandanti i Gardës dhe oficerët drejtues me të cilët ai komunikon. Komunikimi në vijim është sikur nuk ka ndodhur asgjë, madje nuk përmendet në asnjë moment që ka të vrasë apo të plagosur.
I panjohur: 260 i Luanit, dëgjon?
260 i Luanit: Ju dëgjoj
I panjohur: Të kërkon ministri, këtu në radio
KOMUNIKIMI I KATËRT:
Audio: Menjëherë dëgjohen të shtëna tek e tek, sërish dëgjohen 8 të shtëna radhazi një nga një.
Ndrea Prendi: Alfred?
Alfred Ahmetcenaj: Po dëgjoj (dëgjohen 2-3 të shtëna tek e tek)
Ndrea Prendi: Kujdes municionin! Kujdes municionin!
KOMUNIKIMI I PESTË:
Ndrea Prendi: Martin më dëgjon? Agim më dëgjon? Agim? Agim? 202 i Tufanit (kodi i radios) më dëgjon?
202 i Tufanit: Këtu jam. Ngjitur, ngjitur.
Ndrea Prendi: Alfred, një grup i njësisë speciale këtu tek porta numër 2.
Alfred Ahmetcenaj: Të kuptova
Ndrea Prendi: Artan më dëgjon
Artan Hoxha: Dëgjoj
Ndrea Prendi: Le ta djegin pemën nuk ka problem
I panjohur: 260 e Luanit?
I panjohur: Luani 3
Por kush komunikoi në radion speciale, tek e cila jo të gjithë mund të dërgonin mesazhet e tyre?
Kodi i radios ishte “202 i Tufanit”!
Në përgjimet dëgjohet zëri i Ndrea Prendit, komandanti i atëhershëm i Gardës së Republikës; Zv/komandantit të gardës, Artan Hoxha; Komandantit të Njësisë Speciale të Gardës majorit Alfred Ahmetcanaj; dhe vetë asokohe ministri i Brendshëm, Lulzim Basha. E megjithatë ka edhe emra ende të “po çkoduar” si psh: “260 i Luanit”; “I panjohuri”; Martini, mbiemri i të cilit nuk del. Sipas Artan Hoxhës në radio ka pasur akses edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Tiranës, Saimir Muça, i cili ka dëgjuat gjithashtu urdhërin e dhënë për vrasje.
Pas publikimit të përgjimeve, një reagim erdhi asokohe edhe nga kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha. I ftuar në studion e emisionit “Open”, Berisha deklaroi se gjithçka ishte një krijim i ish-kreut të Policisë Ardi Veliut, ndërsa shtoi se ka teknika që mund të krijojnë zërin e kujtdo, duke vënë në dyshim vërtetësinë e komunikimeve të publikuara në media.
“U tha që është audio pa e dëgjuar publiku. Ai është një transkript që shkruhet si të duash. Pse Ardi Veliu ka një teknikë të krijimit të zërit, a doni t’ua jap këtu? Duket se zëri nuk u ka dalë dot, se gjë më qesharake se të paraqesësh atë. Të thonë që ka audio kur nuk ka zë është e turpshme. Kur të dalë nuk ka asnjë kredibilitet më, sepse duhet të dilte me transkriptin. Krijohet zëri i kujt të duash. Zëri që ti nuk e dikton dot, sot ka teknika. Do thuash pse Ardi Veliu, dy skena të keni parasysh. Anila Hoxha po ndiqte një herë një zhvillim te Mali me gropa dhe desh e hodhi polici te gremina, kujtoni kur u kap Klement Balili, ky që servirte shkrimin për audio raportonte nga makina e tij takimin e Veliut me Balilin. Ky është një njeri i shumë përdorur. Nëse e ke zërin e merr e dërgon në SPAK, ministri çfarë tha. SPAK të verifikojë është apo jo e vërtetë. E kuptoni ju ku është ky? Jam pro për çdo hetim, nuk ka pasur pengesa, po këtyre u duhen të ndjerët kur u leverdisin për qëllime politike. Personi që ka fshirë serverin e kanë marrë dhe e kanë nxjerrë të pafajshëm,”– tha Berisha.





