Ernest Muçi po jeton një moment të artë te Trabzonspor dhe është shndërruar shpejt në një nga lojtarët më të dashur për tifozët. Performancat bindëse në fushë dhe 6 golat e realizuar në 4 ndeshjet e fundit kanë bërë që sulmuesi shqiptar të fitojë besimin dhe zemrat e mbështetësve të skuadrës turke.
Entuziazmi ka shkuar deri në atë pikë sa presidenti i shoqatës së tifozëve të Trabzonsporit, Hasan Bahadir, i ka bërë një thirrje të drejtpërdrejtë klubit për të blerë kartonin e Muçit nga Beşiktaş. Sipas tij, shuma prej rreth 8.5 milionë eurosh mund të përballohet nga vetë tifozët.
Ai ka propozuar që afrimi i Muçit të kthehet në një nismë unike: “Le ta bëjmë Muçin një transferim të përbashkët të 8 milionë tifozëve. Le të jetë një ‘transferim tifozësh’. Pjesa tjetër nuk ka rëndësi. Paratë të vijnë nga ne, sepse nga kjo përfiton i gjithë komuniteti”.
Një deklaratë që tregon qartë ndikimin e menjëhershëm të Ernest Muçit te Trabzonspor dhe lidhjen e fortë që ai ka krijuar me tribunat në një kohë shumë të shkurtër.





