Skuadra e Vllaznisë ka arritur të sigurojë kualifikimin për gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë. Të besuarit e Edi Martinit mposhtën edhe në ndeshjen e dytë Bylisin, kësaj radhe me shifrat 2 – 1, ndërsa rezultati i përgjitshëm përkoi 3 – 1.
Të 3 golat e ndeshjes së sotme erdhën në pjesën e parë. Goleadori Bekim Balaj hapi serinë e finalizime me eurogolin në minutën e 34-të.
Pas 4 minutash, Bylis vendosi ekuilibrat falë Olavio. Në “frymën e fundit” të pjesës së parë, shkodranë shënuan sërish, kësaj radhe prej kaosit të shkaktuar në mbrojtjen e ballshiotëve, goli i Pusi.
Gjatë fraksionit të dytë, dalja me karton të kuq nga Adeduro dhe rasti flagrant i humbur prej Pedros, i dha fund shpresave për një përmbysje të madhe në “Loro Boriçi”.
Vllaznia 2 – 1 Bylis (Balaj 34′, Pusi 44’/Olavio 38′) (Ndeshja e Parë 1 – 0)
90′ – Përfundon ndeshja Vllaznia – Bylis 2 – 1.
63′ – Adeduro ndëshkohet me karton të kuq, pas ndërhyrjes “horror” ndaj Yagos.
55′ – Trajneri Mirel Josa “nuk iu beson syve”, Pedro humb rast me portën bosh.
46′ – Nis pjesa e dytë.
45+1′ – Mbyllet pjesa e parë.
44′ – Ekipi ballshiot në kaos, pësojnë golin e dytë.
38′ – Bylis nuk humb kohë, barazon shpejtë me Olavio.
34′ – Vjen goli i parë i ndeshjes, “magjik” Bekim Balaj.
22′ – Bekim Balaj “fal” Bylisin, humb rast “flagrant” për gol përballë portierit Ozols.
4′ – Kevin Dodaj pretendon për penallti, arbitri e ndëshkon me karton të verdhë.
3′ – Bylis vendos në “panik” mbrojtjen shkodrane, pret “mrekullisht” portieri Jukaj.





